kërkimi


Etiketat Rivendosje sistemi x Malware x Εφαρμογές x Υπάλληλος x Παρενόχληση x

Malware

Malware (programet dashakeqëse) është një term i përgjithshëm që përdoret për programet që futen në një kompjuter për të marrë informacione të ndjeshme apo për t’u futur vjedhurazi në sisteme të mbrojtura informacioni. Programe të tilla krijohen dhe përdoren nga krimi kibernetik, madje edhe nga qeveritë , për të dëmtuar qëllimisht sistemet e informacionit.

Llojet më të njohura të programeve dashakeqëse janë viruset, por ka edhe lloje të tjera si ransomware (programe haraçi), trojanë, adware (program reklamimi), spyware (program spiunimi) dhe worms (programe depërtimi). Çdo lloj malware ka formën e vet të funksionimit, ndaj edhe dëmi që shkaktojnë ata janë të niveleve të ndryshme.

Pavarësisht se ekzistojnë përkufizime dhe ndarje të caktuara të programeve malware, kategoritë nuk mund të veçohen si me thikë, kështu që ndodh shpesh që një malware të kryejë aktivitete që janë karakteristike për lloje të tjera malware.

Malware përhapen në forma të ndryshme. Shumica e përdoruesve i shkarkojnë vetë malware, por teksa programet dhe pajisjet e instaluara komunikojnë në internet në mënyra të ndryshme për shkak të aktivitetit të tyre, me raste ato kanë edhe çarje apo dobësi nga të cilat mund të përfitojnë keqdashësit. Në shumë raste, këto dobësi trajtohen nga shitësit e softuerit dhe harduerit, kështu që është e rëndësishme që të instalohen rregullisht përditësimet e softuerit dhe pajisjes.

Malware mund të kryejnë një sërë veprimesh, duke filluar nga ridrejtimi i përdoruesve në faqe të rreme interneti deri te destabilizimi i të gjithë sistemit. Një lloj i veçantë malware janë keyloggers (regjistrues tastiere), programe që regjistrojnë goditjet në tastierë dhe ua dërgojnë të dhënat palëve të treta. Po ashtu, ekziston një lloj malware që ka aftësinë të dërgojë me mijëra email nga një kompjuter i infektuar. Ja disa lloje të tjera të zakonshme të malware:


  • Virusi është një lloj malware që riprodhohet te skedarët dhe programet ekzistuese, madje edhe në vetë sistemin operativ. Zakonisht, ai modifikon përmbajtjen e skedarëve ose i fshin ato, gjë që mund të shkaktojë prishjen e sistemit kur fshin skedarë të sistemit;

  • Trojani është një lloj malware që, kur instalohet, kryen operacione të përcaktuara nga sulmuesi, që më së shpeshti fshijnë ose modifikojnë të dhënat, por shpesh mund të dëmtojnë të gjithë sistemin. Zakonisht duken si skedarë të rregullt dhe të dobishëm instalimi, nga edhe kanë marrë emrin (Kali i Trojës);

  • Adware (program reklamimi) është një lloj malware që, kur infekton sistemin, shfaq automatikisht reklama kur bën një kërkim në internet, gjë që sjell të ardhura për personin që e ka krijuar atë;

  • Spyware (program spiunimi) është një lloj malware që mbledh të dhëna nga një sistem i infektuar dhe që ia kalon ato një pale të tretë, zakonisht atij që e ka krijuar. Me anë të këtij malware, personat e paautorizuar mund t’ju marrin fjalëkalimet, të dhënat personale, korrespondencën, etj.;

  • Worm (Krimbi) është një lloj malware që riprodhohet vetë, që do të thotë se nëse një kompjuter brenda sistemit është i infektuar, ka shumë të ngjarë që të gjithë kompjuterët e lidhur me të të infektohen brenda një kohe të caktuar. Ai dëmton më së shumti rrjetin dhe sistemin duke ngadalësuar kalimin e të dhënave në rrjet. Krimbat janë malware të pavarur, që do të thotë se ndryshe nga viruset, ata nuk kanë nevojë të lidhen me një program ekzistues për t’u transmetuar.

Organizatat në ditët e sotme përballen me një nga problemet më të mëdha të sigurisë dhe format e krimit kibernetik: një formë programi dashakeqës të quajtur ransomware (program haraçi). Kjo formë malware kripton të gjitha dokumentet duke filluar nga një kompjuter i vetëm deri tek i gjithë rrjeti i brendshëm, përfshirë edhe serverët, kështu që skedarët nuk mund të hapen pa kodin e deshifrimit. Keqbërësi më pas kërkon pagesë (haraç) në kriptomonedhë për t’i dhënë viktimës kodin e deshifrimit të dokumenteve, zakonisht brenda një periudhe të shkurtër kohore me qëllim që t’i ushtrojë më shumë presion atij.

Disa infeksione ransomware fillojnë kur viktima klikon mbi atë që duket si një dokument i thjeshtë i bashkëngjitur që, kur hapet, shkarkon skedarët dashakeqës (infektues) dhe fillon procesin e kriptimit (kriptimit të skedarëve). Në fushatat më të mëdha ransomware përdoren mangësitë dhe defekte e softuerëve, fjalëkalime që janë thyer dhe dobësi të tjera për t’u futur në sistemet e institucioneve duke përdorur pika të dobëta, si serverët me lidhje të drejtpërdrejtë me internetin ose hyrjet nga distanca në kompjuter. Sulmuesit kërkojnë fshehurazi gjithë rrjetin derisa të vendosin nën kontroll pothuajse gjithçka – përpara se të kriptojnë çdo dokument.

Viktimave të sulmeve me ramsomware u mbeten zgjidhje të pakta: ose duhet të paguajnë haraçin tek kriminelët për të rifituar dokumentet e kriptuara, ose të rikthejnë dokumentet nga kopjet rezervë, ose të shpresojnë se ka një metodë të gatshme deshifrimi në internet .

Shënjestër e ransomware janë zakonisht bizneset e vogla dhe të mesme, sepse ato përgjithësisht kanë standarde dhe praktika më të dobëta sigurie në krahasim me korporatat e mëdha.

Nuk është përherë e lehtë të dallosh malware, sepse ndodh shpesh që përdoruesi fillimisht nuk është në dijeni se kompjuteri/sistemi i tij është infektuar. Ndonjëherë aktiviteti i malware mund të kuptohet për shkak të përkeqësimit të papritur të punës së sistemit. Përdoruesi mesatar nuk mund ta heqë plotësisht malware vetë pa përdorur një program specifik anti-malware. Programe të tilla monitorojnë sistemin, skanojnë skedarët e shkarkuar nga interneti dhe emaili dhe nëse gjejnë ndonjë malware, e vendosin në karantinë ose e fshijnë, sipas konfigurimit të programit.

Megjithatë, nuk mjafton vetëm të instalohet një program i caktuar që skanon dhe heq malware. Ka rëndësi që përdoruesit të mos instalojnë programe të pabesueshme, të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos hapin emaile të dyshimta ose të mos vizitojnë faqe interneti jo të besueshme.


Kopje rezervë e të dhënave Higjiena digjitale Malware Dëmi Krimi kibernetik Risetim i pajisjes Rivendosje sistemi