kërkimi


Etiketat Padi penale x Siguria x Taktikë x Tactic x Identity x

Gjuha e urrejtjes

Sulmet verbale për shkak të racës, fesë, përkatësisë etnike, orientimit seksual dhe identitetit gjinor, apo përkatësisë politike dhe sindikale ose identiteteve apo karakteristikave të tjera si mosha ose statusi ekonomik mund të përshkruhen si gjuhë urrejtjeje.

Ndonëse nuk ka një përkufizim të pranuar ligjërisht për gjuhën e urrejtjes, Kodi Penal, nëpërmjet nenit 265, sanksionon nxitjen e urrejtjes dhe e grindjeve, për shkak të racës, etnisë, fesë ose orientimit seksual. Në po të njëjtin nen, sanksionohet edhe përgatitja, përhapja ose ruajtja, me qëllim përhapjen e shkrimeve me përmbajtje të tilla, e kryer me çdo mjet ose formë. Neni 119/a i Kodit Penal konsideron kundërvajtje penale ofrimin në publik ose shpërndarjen e qëllimshme publikut, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e materialeve me përmbajtje raciste ose ksenofobike.

Ky nen ndalon edhe publikimin e teksteve dhe materialeve që propagandojnë diskriminimin, komplotet dhe dhunën kundër individëve apo grupeve që i përkasin këtyre kategorive të mbrojtura.

Gjuha e urrejtjes ndalohet edhe nga ligji për mediat, dhe anëtarët e mediave dhe organizatat e tyre mund të ndëshkohen për gjuhën e urrejtjes në proceset gjyqësore civile.

KËSHILLË: Bëni padi dhe kërkoni nga policia dhe prokuroria të nisin hetimet.

Përveç dokumentimin, mund të raportoni gjuhën e urrejtjes edhe në platforma, sepse të gjitha ato në kushtet e shërbimit e ndalojnë kategorikisht këtë gjuhë.

Nëse gjuha e urrejtjes është botuar online në një faqe interneti apo në një platformë mediatike, mund të kërkoni me email ose drejtpërdrejtë në platformë heqjen e kësaj përmbajtjeje.

Nga ana tjetër, edhe Komisioneri për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit mund të nisë hetimin administrativ për përmbajtjen. E nisur pas kërkesës me shkrim, Komisioneri ka 90 ditë për të hetuar dhe për të marrë një vendim për t’iu përgjigjur gjuhës së urrejtjes të postuar online. Vendimi i komisionerit përmban rregullimet dhe masat e duhura, duke caktuar edhe një afat për kryerjen e tyre.


Raportoje në platformë Reputacion Taktikë Siguria Padi penale