Pajisja ime është humbur / vjedhur
Në rast se pajisja juaj humbet ose vidhet, duhet të keni parasysh sa vijon:
Ndrysho të gjitha fjalëkalimet - Nëse besoni se pajisja mund t’ju vidhet, si masë paraprake, është mirë të ndryshoni të gjitha fjalëkalimet në llogaritë tuaja te të cilat keni hyrë. Këshillohet të përdoret një pajisje e besuar për të dalë nga të gjitha seancat e hapura në pajisjen e humbur.
Ndryshimi i të gjitha fjalëkalimeve është shumë më i lehtë dhe më i sigurt me ndihmën e aplikacioneve të specializuara të quajtur menaxherë të fjalëkalimeve. Këto aplikacione ruajnë në mënyrë të sigurt kredencialet e hyrjes dhe i mbrojnë ato me një fjalëkalim kryesor. Në këtë mënyrë, duhet vetëm të mbani mend fjalëkalimin kryesor dhe mund të kopjoni/vendosni kredencialet e tjera direkt nga aplikacioni. Programi i administrimit të fjalëkalimeve zakonisht ka mundësinë të gjenerojë automatikisht një fjalëkalim të gjatë dhe kompleks, të përbërë nga karaktere dhe simbole të rastësishme. Aplikacionet që përdoren zakonisht për administrimin e fjalëkalimeve janë KeePass, KeePassXC dhe Bitwarden.
Kyçje dhe fshirje nga distanca - Telefonat Android, në rast se kanë të aktivizuar opsionin "Gjeni pajisjen time", ju ofrojnë mundësinë për t’i kyçur nga distanca me PIN, modelin ose fjalëkalimin që i kini vënë apo edhe të fshini të gjitha të dhënat në telefon. Google ofron udhëzime të tjera se si të sigurohen pajisjet e sekuestruara Android. Opsionet e ngjashme ofrohen edhe nga Apple për pajisjet iOS si iPhone ose iPad.
Gjej ku është pajisja - Në rast se nuk e gjeni dot pajisjen dhe dyshoni se mund të jetë vjedhur, ka mënyra për të përcaktuar vendndodhjen e saj të mundshme. Për shembull, telefonat inteligjentë Android dhe iPhone kanë mundësinë për të lokalizuar pajisjen nga distanca. Për detaje dhe kërkesa të mëtejshme (p.sh. pajisja duhet të jetë e ndezur, e lidhur me internetin, etj.) se si të aktivizoni opsionin e gjetjes në distancë, lexoni udhëzimet e Google për pajisjet Android ose udhëzuesin e Apple në rast se pajisja është një iPhone ose pajisje tjetër me sistem iOS.
Raportoni zhdukjen - Nëse nuk e keni arritur të gjeni telefonin tuaj ose jeni të sigurt se është vjedhur, sigurohuni që ta raportoni tek policia. Përpjekuni të kujtoni ku dhe kur e kishit telefonin me vete për herë të fundit dhe çdo detaj tjetër që mund të jetë i dobishëm (a ishit vetëm ose me dikë, etj.).