Të dhënat e mia janë të kapura / të bllokuara
Një nga problemet më të mëdha të sigurisë dhe format e krimit kibernetik sot është ransomware (viruse haraçi). Ky lloj malware kodon skedarët në mënyrë që të mos mund të aksesohen pa një çelës deshifrimi. Keqbërësi më pas kërkon pagesë (haraç) në kriptomonedhë për t’i dhënë viktimës kodin e deshifrimit të dokumenteve, zakonisht brenda një periudhe të shkurtër kohore me qëllim që t’i ushtrojë më shumë presion atij.
Kërko për programe të gatshme dekriptimi - Në rast se bëheni objektiv i ransomware, këshilla e përgjithshme është të mos paguani, pasi nuk ka asnjë garanci që do të merrni vërtet çelësin e saktë të deshifrimit. Po ashtu, pagesat inkurajojnë përpjekje të mëtejshme të krimit kibernetik. Mund të përpiqeni të gjeni një mjet deshifrimi duke bazuar në llojin e ransomware. Për shembull, No More Ransom është një nismë që u ofron qytetarëve mjete deshifrimi falas për shumë forma të ransomware. Shumica e objektivave të ransomware janë kompani të mëdha, por individët duhet të jenë të vetëdijshëm edhe për rreziqet dhe pasojat.
Rivendos të dhënat - Në varësi të të dhënave që nuk mund të akesoni, duhet të përpiqeni të rivendosni skedarët nga një kopje rezervë. Sigurohuni që skedarët të kopjohen rregullisht dhe që të keni akses te kopjet rezervë në rast se ato mbahen në ndonjë shërbim cloud (p.sh. Proton, Dropbox, Tresorit).
Sistemi i rivendosjes - Në rast se sistemi operativ i pajisjes ka pësuar dëmtime serioze që ndikojnë në performancën e tij, këshillohet ta riktheni atë në konfigurimin e fundit kur pajisja ishte plotësisht funksionale. Windows ka opsionin System Restore, në MacOS mund të përdoret Time Machine, ndërsa për sistemet Linux ka shumë mjete që bëjnë të mundur rikthimin e kopjes rezervë.